Këshilla nga arkitekti : ju ftojmë te eksploroni 5 modele të organizimit të kuzhinës, në varësi të hapsirës të sallonit tuaj.
Përzgjedhja e formës së kuzhinës është një element thelbësor në planifikimin dhe optimizimin e hapësirës së brendshme të një apartamenti. Ky artikull shpjegon pesë lloje të njohura të formave të kuzhinës: Kuzhina me formë lineare, kuzhina me formë L, kuzhina me formë U, kuzhina me ishull dhe kuzhina me gadishull. Secili konfigurim analizohet duke theksuar avantazhet dhe kufizimet e tij, me qëllim ofrimin e zgjedhjeve sa më funksionale, praktike dhe estetike që përshtaten me hapësirën dhe stilin e sallonit tuaj.
Kuzhina me formë lineare
Kuzhina me formë lineare, ashtu si edhe emri sugjeron është ajo ku të gjithë sirtarët dhe modulet janë në një vijë të drejtë. Ky është një opsion që sugjerohet kur hapësira në dispozicion nuk të lejon asnjë tipologji tjetër. Duke qenë se ky konfigurim është i detyruar në mungesë të hapësirës, sugjerohet shfrytëzimi i saj në maksimum duke përdorur module që shkojnë deri në tavan.
I vetmi avantazh i kësaj tipologjie është që nuk kemi sirtarë në cepa të cilët shpesh mezi arrihen.
Kuzhina me formë L
Konfigurimi më i përdorur i kuzhinave ku modulet janë të vendosur përgjatë 2 mureve pingul me njëri-tjetrin. Ky është një konfigurimi më efikas edhe për sa i përket shfrytëzimit të hapësirave, por edhe për mënyrën e lëvizjes nëpër të.
Ky konfigurim mundëson krijimin e trekëndëshit të qarkullimit ndërmjet frigoriferit, lavapjatës dhe pianurës. Mundësimi i këtij trekëndëshi bën shumë efikas thuajse çdo veprimtari në kuzhinë si gatim, larje, përgatitje apo sistemim të ushqimeve dhe enëve apo pajisjeve të ndryshme. Ky lloj konfigurimi mund të përmirësohet më tej duke shtuar një ishull, gadishull ose banak për konsumin e vakteve relativisht të shpejta.
Megjithëse ishujt ose gadishujt janë shumë praktikë, duhet të dini që krijojnë vështirësi në qarkullimin në kuzhinë dhe e vështirësojnë qarkullimin e më shumë se një kuzhinieri.
Kuzhina me formë U
Nëse keni hapësirë të mjaftueshme, kuzhina në formë U mund të jetë shumë funksionale për ju. Duke qenë se shfrytëzon gjatësinë e 3 mureve, keni plot hapësirë për enë, ushqime apo pajisje kuzhine. Megjithatë duhet të mbani në mend se një kuzhinë e tillë mund të duket klaustrofobike dhe për ta korrigjuar këtë ndjesi sugjerohen module të hapur ose me xhama.