Mobilimi i shtëpisë, sa duhet të investohet vërtet?

Kur vjen puna te mobilimi i një shtëpie të re, dilemat janë të shumta.

Sa duhet të shpenzoj? A ja vlen të investoj në mobilje cilësore? Po nëse nuk do të jetoj vetë aty?

 

Këto pyetje i bëjnë pothuajse të gjithë, qoftë blerësit e rinj që sapo kanë marrë një apartament, qoftë investitorët që kanë hyrë në tregun e pasurive të paluajtshme për të gjeneruar të ardhura.

Në këtë artikull, do të përpiqemi të vendosim disa rregulla loje, për të kuptuar se ku duhet të fokusohet buxheti, dhe si ndryshon mobilimi sipas qëllimit të përdorimit të banesës.

Sa kushton mobilimi i një shtëpie?

Në përgjithësi, mobilimi i një apartamenti në Shqipëri mund të variojë nga 250 euro/m² deri në 1,000 euro/m², në varësi të stilit, cilësisë së mobiljeve dhe pajisjeve, apo edhe sipas faktit nëse zgjidhet punim me porosi apo mobilje të gatshme.

 

Për shembull, për një apartament 100 m²:

  • Mobilim ekonomik: rreth 20,000 euro
  • Mobilim mesatar: rreth 45,000 euro
  • Mobilim premium: mund të kalojë edhe 70,000 euro

Në raport me vlerën totale të një apartamenti, mobilimi zë zakonisht 10%–30% të çmimit të tij, por kjo varet nga lloji i apartamentit dhe niveli i ndërtimeve.

3 skenarë: Sa të investoni në varësi të përdorimit

1. Kur mobilon për të banuar vetë

Nëse ke ndërmend të jetosh vetë në shtëpi, prioritet duhet të jetë cilësia dhe komoditeti. Këtu ia vlen të investosh më shumë, jo thjesht për estetikë, por sepse mobiljet dhe pajisjet e përdorura përditë duhet të jenë rezistente dhe funksionale.

 

Buxheti i këshilluar: 300–550 euro/m²

Fokusi: sistem ndriçimi i mirë, kuzhinë funksionale, dyshek cilësor, mobilje të mira

Këshillë: Mos u ngut të blesh gjithçka përnjëherë, investo më shumë në thelbësoren dhe plotëso pjesën tjetër me kalimin e kohës

 

2. Kur do ta japësh me qira afatgjatë

Qiramarrësit zakonisht kërkojnë një shtëpi funksionale dhe estetike, por nuk presin luks.

 

Investimi duhet të jetë racional, cilësi e mirë, por pa e tepruar, pasi shtëpia do të konsumohet më shpejt dhe qiraja nuk e justifikon gjithmonë një mobilim të kushtueshëm.

 

Buxheti i këshilluar: 150–250 euro/m²

Fokusi: mobilje praktike, ambiente të thjeshta por të pastra vizualisht, pajisje elektro-shtëpiake bazike

Këshillë: zgjidh materiale të qëndrueshme dhe të lehta për mirëmbajtje, shmang ngjyrat shumë të çelura ose sipërfaqet që gërvishten lehtë


3. Kur synon ta japësh në Airbnb/Booking

Në këtë rast, shtëpia duhet të jetë tërheqëse që në fotografi, por edhe funksionale për qëndrimet afatshkurtra.

Nuk është e nevojshme të investosh shumë në çdo detaj, por duhet të krijosh një identitet vizual që e dallon nga shtëpitë e tjera në treg.


Buxheti i këshilluar: 200-350 euro/m²

Fokusi: dekor minimalist, ndriçim i ngrohtë, tualete të kompletuara mirë, një kuzhinë e pajisur për nevojat bazike

Këshillë: investo pak më shumë në tekstile (çarçafë, perde, peshqirë cilësorë), pasi janë shumë të rëndësishme në përvojën e të ftuarve.

Si të ruash balancën?

Pavarësisht qëllimit, çelësi është të mos harxhosh më shumë sesa të kthehet mbrapsht në formë vlere, qoftë si komoditet në jetesën tënde, qoftë si të ardhura nga qiraja.

 

Një shtëpi e mobiluar mirë rrit vlerën e tregut dhe perceptimin e cilësisë, por mobilimi i shtrenjtë nuk garanton gjithmonë kthim proporcional të investimit.

 

Nëse nuk je i sigurt se çfarë të zgjedhësh, nis nga një buxhet i qartë, përcakto prioritetet sipas përdorimit, dhe nëse ke mundësi, kërko edhe mendimin e një arkitekti.

 

Në shumë raste, një këshillë profesionale më shumë të kursen sesa të kushton.

 

Në fund të ditës, mobilimi ka të bëjë me jetesën e përditshme.

 

Dhe kjo është një arsye e mirë për ta trajtuar me kujdes, jo me ngut.