Si të lexoni një planimetri apartamenti si profesionist.

Kur mendoni të blini ose të investoni në një apartament, planimetria e tij është harta më e qartë që keni në dorë. Për shumë njerëz, pamja e vijave, si mboleve dhe përmasave në një plan duket e ndërlikuar. 

 

Megjithatë, një kuptim i thjeshtë i elementeve kryesore ju lejon ta lexoni planimetrinë me siguri dhe t’i shikoni detajet si profesionist.

Çfarë është një planimetri apartamenti?

Një planimetri apartamenti është një vizatim teknik i parë nga lart që tregon organizimin e hapësirës. Ajo përfshin ndarjet e dhomave, përmasat, dyert, dritaret dhe shpesh edhe mobilimin përkatës. Qëllimi i tij është të komunikojë me saktësi se si do të jetë hapësira e brendshme.

Përmasat, gjuha e qartë e planimetrisë

Një nga elementet më të rëndësishme janë përmasat. Në planimetri, ato tregohen zakonisht në metra ose centimetra.

 

Të lexoni përmasat do të thotë të kuptoni realisht sa hapësirë keni. Për shembull, një dhomë gjumi e shënuar 4.5 me 4 metra përkthehet në një hapësirë të rehatshme për një krevat dopio dhe mobilim bazë.

 

Matjet e korridoreve, banjove dhe ballkoneve janë po aq të rëndësishme për ta vlerësuar funksionalitetin e apartamentit.

Simbolet që duhet të njihni

Çdo planimetri përdor simbole të standartizuara për elementët arkitektonikë. Dyert zakonisht paraqiten si një vijë me një hark që tregon drejtimin e hapjes. 

 

Dritaret tregohen si hapësira të zbrazëta në mur, shpesh me një shenjë të hollë që tregon gjatësinë e tyre. Nëse në plan shihni katrorë të vegjël me kryq brenda, ato shpesh janë shtylla ose elementë konstruktivë.

 

Përveç këtyre, ka edhe simbole të tjera që ia vlen t’i njihni. Shkallët zakonisht vizatohen si një seri vijash paralele të njëpasnjëshme, që tregojnë ngjitjen ose zbritjen e niveleve. 

 

Ashensorët paraqiten me një katror të veçantë, shpesh të shënuar me një “X” ose me tekst shpjegues.

Muret perimetrale shpesh vizatohen më të trasha se ndarjet e brendshme, gjë që është thelbësore të kuptohet sepse këto nuk mund të modifikohen lehtësisht.

 

Njohja e këtyre simboleve ju ndihmon të mos ngatërroni detaje që më vonë mund të kenë ndikim të madh në organizimin e hapësirës.

Orientimi dhe lidhja me dritën natyrale

Një tjetër element që shpesh anashkalohet është orientimi i apartamentit.

 

Shumë plane tregojnë një shigjetë me shkronjën N që shënon veriun. Duke ditur këtë, mund të kuptoni se cilat dhoma përfitojnë nga drita e mëngjesit ose e pasdites.

 

Për shembull, një dhomë ndenje me orientim jugor do të ketë dritë të bollshme gjatë gjithë ditës, gjë që e rrit ndjeshëm komoditetin e jetesës.

Funksionaliteti i hapësirës

Përveç përmasave dhe orientimit, një plan i lexuar mirë ju ndihmon të kuptoni rrjedhën e hapësirës. 

 

A lidhen dhomat në mënyrë të natyrshme me njëra-tjetrën? A është korridori i gjatë dhe i panevojshëm, apo çdo metër i apartamentit është i shfrytëzuar? 

 

Ky vlerësim bën diferencën midis një apartamenti që duket i bukur në letër dhe një hapësire që është vërtet funksionale për përditshmërinë.

Shembull konkret: Si të lexojmë një planimetri apartamenti?

Më poshtë kemi planimetrinë e një apartamenti tip 2+1 në projektin Univers City.

 

Ky apartament ndodhet në katin e 3-të, në godinën 6, me sipërfaqe totale rreth 98.55 m², nga të cilat 83.05 m² janë sipërfaqe e brendshe dhe 15.50 m² janë pjesë e përbashkët.

Planimetri Apartamenti 6B34 Univers City

Duke parë planimetrinë, vihen re disa elemente të qartë:

Muret perimetrale 

Muret perimetrale (të vizatuara me vijë më të gjerë) tregojnë strukturën mbajtëse, të cilat nuk mund të ndryshohen.

Dyert

Dyert paraqiten me një vijë dhe hark që tregon drejtimin e hapjes.

Dritaret

Dritaret shfaqen si hapësira të hapura në mure, duke treguar hyrjen e dritës natyrale. Këtu shohim që dhoma e ndenjes dhe dhomat e gjumit përfitojnë dritë të bollshme.

Dhoma e ndenjes

Dhoma e ndenjes me kënd gatimi (e shënjuar me kuadrat të ndërprerë) është vendosur në një hapësirë të përbashkët, gjë që krijon një hapësirë funksionale për jetesën e përditshme.

Dhomat e gjumit

Dy dhomat e gjumit dallohen qartë në planimetri, ku njëra është pak më e madhe dhe shërben si dhomë matrimoniale dhe ka tualetin e saj të dedikuar, ndërsa tjetra mund të shfrytëzohet lehtësisht për vendosjen e dy krevateve tek ose sipas nevojës si hapësirë alternative.

Tualetet

Tualetet dallohen me simbole të thjeshta që tregojnë pajisjet sanitare kryesore.

Puset teknike

Puset teknike janë hapësira teknike të nevojshme pranë kuzhinës dhe tualetit. Ato zakonisht dallohen nga forma drejtkëndore dhe nga një thyerje në formë hijeje brenda tyre.

Orientimi

Në këtë planimetri shohim edhe orientimin e apartamentit, shënuar me shigjetën që tregon veriun. Kjo ndihmon të kuptojmë se si hyn drita në hapësira të ndryshme gjatë ditës.

Ky është një shembull i mirë se si simbolet dhe shenjat teknike përkthehen në informacion praktik, duke ju ndihmuar të lexoni planimetrinë jo thjesht si vizatim, por si përjetim të hapësirës ku do të jetoni.

Pse është e rëndësishme të lexoni planimetrinë?

Një planimteri e kuptuar mirë ju jep siguri në vendimmarrje. Ajo ju lejon të bëni pyetje të sakta te ndërtuesi, të vlerësoni nëse apartamenti përmbush nevojat tuaja dhe të shmangni surpriza pasi të jetë përfunduar ndërtimi. 

 

Në fund, një investim i mençur nuk ka të bëjë vetëm me pamjen, por me funksionin dhe komoditetin afatgjatë që planimetria e mirë e garanton.