5 këshilla për zgjedhjen e apartamentit të duhur.
Kur vjen momenti për të zgjedhur apartamentin që do ta quani “shtëpi”, ndjesitë janë të përziera: emocion, stres e ndoshta dhe një dozë frike. Por kjo është krejt normale. Ky vendim nuk është thjesht praktik, është një hap më afër jetës që dëshironi të ndërtoni.
Ja disa këshilla të thjeshta, që mund t’ju ndihmojnë:
1. Dëgjoni instinktin tuaj.
Po, të gjithë flasin për buxhetin, metrat katrorë apo vendndodhjen, por mos e anashkaloni ndjesinë e parë kur futeni në një apartament. A ju duket si një vend ku mund të përshtateni, të pushoni dhe të ndiheni vetvetja? Përgjigjuni kësaj pyetjeje.
2. Vendndodhja është çelësi, por mbetet e negociueshme.
Sigurisht që është e rëndësishme të jeni pranë punës, shkollës apo kafenesë së preferuar, por ndonjëherë një vend disi më larg, më pak i kushtueshëm, me më tepër hapësirë dhe qetësi mund të vlejë më shumë.
3.Konsideroni të ardhmen
Një apartament i vogël mund të duket mjaftueshëm tani, por a keni menduar për nesër? Fëmijë, kafshë shtëpiake a mbase veç dëshirë për një shtëpi më të madhe? Ju sugjerojmë të merrni vendime afatgjata.
4. Mos nënvlerësoni ndriçimin dhe ajrosjen.
Dritaret e mëdha dhe drita natyrale mund të bëjnë diferencën midis një apartamenti të këndshëm dhe një tjetri që duket sikur të zë frymën. Merrni kohë për ta vizituar apartamentin gjatë ditës dhe kontrolloni nëse ndiheni mirë aty.
5. Krijoni një listë përparësish.
Bëni paqe me veten që jo çdo gjë mund të jetë perfekte. Nëse dini saktësisht çfarë është më e rëndësishme për ju (p.sh. ambient jo i zhurmshëm, një kuzhinë e madhe, ballkon apo parking), do të jetë më e lehtë të merrni vendimin e duhur.
Dhe mos harroni: shtëpia është aty ku ndiheni më mirë. Gjeni vendin që përputhet me ritmin tuaj të jetës dhe ju sjell gëzim sa herë hapni derën.